Si të bëhesh i krishterë

Nga: ATRI Staff@2011

Përmbajtja

Ti mund ta pranosh Krishtin tani me anë të besimit nëpërmjet një lutjeje (lutja është bisedë me Perëndinë).

Perëndia e njeh zemrën tonë dhe nuk u kushton aq shumë rëndësi fjalëve tona sa qëndrimit të zemrës sonë. Më poshtë jepet një sugjerim për një lutje, por ju mund ta bëni lutjen me fjalët tuaja. Ju nuk shpëtoheni nga lutja, ngritja e duarve apo të dalët përpara kishës. Ju shpëtoheni nga qëndrimi i zemrës suaj dhe nga besimi në Krishtin.

 

“I dashur Zoti Jezus. Unë e pranoj se kam mëkatuar. E di se nuk mund të shpëtoj vetë. Të falënderoj që vdiqe në kryq dhe që barte mëkatin në vendin tim. Unë besoj se vdekja Jote ishte për mua dhe e pranoj sakrificën Tënde në vendin tim. Aq sa mundem, unë tani e kaloj gjithë besimin nga vetja ime dhe gjërat që mund të bëj e tek Ti. Po të hap derën e jetës sime dhe, më besim, të pranoj si Shpëtimtarin dhe Zotin tim. Të falënderoj që m’i ke falur mëkatet dhe që po me jep jetën e përjetshme. Amen.”

 

Gëzohem që ke ardhur të lexosh këtë përgjigje.

 

Perëndia dëshiron që të bëhesh i krishterë. Ai dëshiron që ti të shpëtosh nga pasojat e mëkateve të tua, pavarësisht se kush je apo çfarë ke bërë.

 

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” (Gjoni 3:16)

 

Nëse dëshiron ta njohësh Perëndinë personalisht, nëse dëshiron që Perëndia të t’i falë mëkatet e të të japë dhuratën e Tij të jetës së përjetshme, Ai është i gatshëm të të shpëtojë pavarësisht sa mëkate ke bërë, pavarësisht se çfarë ke bërë, pavarësisht se prej sa kohësh i ke bërë këto gjëra.

 

Mënyra e Perëndisë për shpëtimin quhet Ungjill, ose lajm i mirë. Në Ungjill ka disa gjëra që duhet t’i dish e t’i besosh.

 

 

  1. Ti duhet të besosh se Jezusi është Perëndia Bir. Jezusi tha:

 

 

“… sepse po të mos besoni se Unë jam [Perëndia], ju do të vdisni në mëkatet tuaja.” (Gjoni 8:24)

 

Apostulli Pal tha këto fjalë për Jezusin:

 

“I Cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie [fjala greke këtu është “huparchon”, që do të thotë se Jezusi, para ardhjes dhe lindjes së Tij këtu në tokë, kishte ekzistuar gjithmonë e vazhdimisht në formë Perëndie], nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë.” (Filipianëve 2:6).

 

Jezusi tha:

“Kush më ka parë Mua, ka parë Atin.” (Gjoni 14:9

 

“Në të vërtetë, në të vërtetë Unë po ju them; para se të kishte lindur Abrahami, Unë jam [Perëndi].” (Gjoni 8:58).

 

Këtu Jezusi po i referohet Eksodit 3:10-15, pjesës ku Moisiu qëndron para Perëndisë në shkurren që po digjej. Moisiu e pyeti Perëndinë se si quhej. “Perëndia i tha Moisiut: “UNË JAM AI QË JAM”. Pastaj tha: “Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit… Ky ka për të qenë gjithnjë emri im me të cilin do të  kujtohem nga të gjitha breznitë.” Te Gjoni 8:58, Jezusi shpall se është “UNË JAM-i”, Vetë Perëndia që e nxori Moisiun dhe Izraelin nga Egjipti.

 

Te Mateu 25, Jezusi shpall se vetëm Ai do të kthehet në fund të botës si Gjykatës i TË GJITHË njerëzve:

 

“Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e Tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së Vet. Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para Tij; dhe Ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë.”

 

Gjithçka që do të nevojitet që dikush të mos lejohet në parajsë ditën e fundit do të jetë që Jezusi t’i thotë “Unë nuk të kam njohur kurrë.”

 

“Dhe atëherë Unë do t’u sqaroj atyre: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga Unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi.” (Mateu 7:23).

 

Te Gjoni 10:30-33, Jezusi tha,

 

“Unë dhe Ati jemi një [në greqisht, “një” është asnjanës, jo një person apo një mendim, por një në esencë ose natyrë].Prandaj Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë. Jezusi u përgjigj atyre: “Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati Im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?“. Judenjtë u përgjigjën duke thënë: “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse Ti, duke qenë njeri, e bën Veten Perëndi“.

 

Gjoni 1:1-3; 14 thotë:

 

“Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (Fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të Tij (Fjala), dhe pa Atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë… Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e Tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.”

 

Gjoni 1:18:

 

“Askush s`e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir [Jezusi], që është në gjirin e t`Et, është Ai që e ka bërë të njohur.”

 

Marku 14:61, 62:

 

“…Përsëri kryeprifti e pyeti dhe i tha: “A je Ti Krishti, Biri i të Bekuarit?“. Dhe Jezusi tha: “Unë jam. Dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit“.

 

Mateu 20:28:

 

“Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t`i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e Tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.”

 

Marku 2:5, 10, 11:

 

“Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: “O bir, mëkatet e tua të janë falur!“… Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi dhe, Unë po të them (i tha të paralizuarit): Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!”“.

 

Për këtë arsye, apostulli Pal mund të thoshte, “Beso në Zotin Jezus Krisht dhe do të shpëtohesh” (Veprat e Apostujve 16:31).

 

 

  1. Ne duhet të kuptojmë dhe të jemi të gatshëm ta pranojmë se mëkati na ka ndarë nga Perëndia dhe se na pengon që ta njohim e ta përjetojmë Atë.

 

 

Romakëve 3:23: “Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë.”

 

Romakëve 3:10: “Siç është shkruar: “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një.”

 

Isaia 53:6: “Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.”

 

Romakëve 6:23: “Sepse paga e mëkatit është vdekja.” [ndarja frymore nga Perëndia tani e në përjetësi].

 

Bibla thotë se, pavarësisht se kush jemi, askush prej nesh nuk e ka përmbushur ndonjëherë standardin e Perëndisë, dhe askush prej nesh nuk do t’ia dalë, d.m.th. askush nuk do të pranohet nga Perëndia e të lejohet në parajsë bazuar në jetën e mirë që ka bërë.

 

Ja sa shumë kemi dështuar në përmbushjen e standardit të kërkesave të Perëndisë. Përfytyroni tre persona që i afrohen Kanionit të Madh, të ndjekur nga një pumë e madhe. Një prej tyre thotë, “Do të na duhet të hidhemi. Nuk kemi zgjidhje tjetër.” Problemi është se ana tjetër e Kanionit është një kilometër larg. Personi i parë vrapon sa më shpejt që mundet, kërcen 3 metra dhe bie në fund të Kanionit e vdes. Personi i dytë përpiqet edhe më shumë dhe kërcen 4.5 metra, por prapë mbetet një largësi e madhe deri në anën tjetër të Kanionit. Edhe ai bie dhe vdes. Personi i tretë është një atlet olimpik i kërcimit së gjeri. Ai vrapon dhe kërcen më larg se dy të parët, por prapë nuk i afrohet anës tjetër të Kanionit. Që të tre këta persona, edhe pse dy të fundit ishin më mirë se i pari, as që iu afruan shpëtimit. Bibla thotë se të gjithë ne “kemi mëkatuar dhe jemi privuar nga lavdia e Perëndisë.”

 

 

  1. Sa i mirë duhet të jem që të shkoj në parajsë?

 

 

Jezusi tha,

“Prandaj Unë po ju them: në qoftë se drejtësia juaj nuk është më e lartë nga ajo e skribëve dhe e farisenjve ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.” (Mateu 5:20).

 

Populli hebre e dinte se farisenjtë dhe mësuesit e ligjit përpiqeshin të zbatonin më se 500 ligje në përpjekje për t’i pëlqyer Perëndisë. Ata që nuk ishin pjesë e klerit besonin se kurrë nuk do të ishin në gjendje t’i zbatonin të gjitha këto ligje. Në fakt, as farisenjtë dhe mësuesit e ligjit nuk i zbatonin. Por Jezusi u tha të gjithëve se “në qoftë se drejtësia juaj nuk është më e lartë nga ajo e skribëve dhe e farisenjve ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.”

 

Disa vargje më pas, Jezusi shkoi edhe më tej duke thënë, “Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej“ (Mateu 5:48). Me fjalë të tjera, nëse nuk je i përkryer si Perëndia, as mos e ço nëpër mend se mund të pranohesh në parajsë. (Nëse mendoni ndonjëherë se keni bërë një jetë të përkryer, pyesni bashkëshortin, bashkëshorten, ose pjesëtarët e familjes suaj!) A mendon se ke bërë një jetë të përkryer? Askush nuk e ka bërë.

 

 

  1. Bibla thotë se, kur të vdesësh, do të gjykohesh nga Perëndia.

 

 

“Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi [jo rimishërimi apo zhdukja].” (Hebrenjve 9:27).

 

Kur të dilni para Perëndisë, çfarë do të kërkojë Ai?

 

“Sepse jo ata që dëgjojnë ligjin janë të drejtë para Perëndisë, por ata që e zbatojnë ligjin do të shfajësohen.” (Romakëve 2:13).

 

Ndoshta ti ke shkuar në kishë gjithë jetën dhe ke dëgjuar lexime e predikime nga Bibla. Por ki parasysh se Bibla nuk thotë se të drejtë para Perëndisë do të quhen ata që kanë dëgjuar ligjin, por ara që i janë bindur atij. A i je bindur gjithmonë ligjit të Perëndisë?

 

 

  1. Nëse do të gjykohemi në bazë të bindjes ndaj ligjit të Perëndisë, ti si po ecën?

 

 

Kur dha dhjetë urdhërimet, Perëndia tha, “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para Meje.” (Eksodi 20:3). Ti mund të thuash, “Po unë nuk jam idhujtar!” Megjithatë, çfarëdo që vini para Perëndisë, bëhet perëndia juaj. Ti mund të kesh vënë famën, sportin, drogën, paranë, prestigjin ose punën para Perëndisë. Nëse është kështu, ti e ke thyer këtë ligj.

 

Perëndia ka thënë, “Nuk do të vrasësh.” (Eksodi 20:13). Ti thua, “Nuk kam vrarë.” Por Jezusi tha se, nëse e urren dikë në zemër, e ke thyer këtë ligj. Kur ka qenë hera e fundit që i ke thënë dikujt, “Të urrej!”?

 

Perëndia ka thënë, “Nuk do të bësh dëshmi të rreme.” (Eksodi 20:16). Gjithçka që themi është ose e vërtetë, ose e rreme: nuk ekzistojnë gënjeshtrat “e bardha”. A kë gënjyer sot? Sa gënjeshtra ke thënë javës që shkoi? Muajin që shkoi? Në jetën tënde?

 

Perëndia ka thënë, “Nuk do të dëshirosh (lakmosh).” (Eksodi 20:17). Lakmia është dëshira e madhe për të pasur diçka që ka dikush tjetër vetëm ngaqë e ka ai/ajo dhe jo ti. A bezdisesh kur dikush tjetër promovohet, lavdërohet, fiton një gradë më të mirë, blen një shtëpi ose makinë më të mirë? Atëherë, e ke thyer këtë ligj.

 

Po kjo? “Dhe Jezusi i tha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”.” A e ke thyer këtë ligj? Askush nga ne nuk e ka dashur Perëndinë me gjithë zemër, me gjithë shpirt e me gjithë mendje në çdo çast të jetës sonë. Nëse kjo është e vërtetë edhe për ty, atëherë, sipas Jezusit, ti ke thyer urdhërimin më të madh nga të gjithë.

 

Prandaj apostulli Pal arriti në përfundimin se:

 

“Sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit.” (Romakëve 3:20).

 

  1. Mënyra të gabuara mendimi: “Në rregull, kam kryer shumë mëkate, por ja si do ta ndreq punën me Perëndinë.”

 

 

Në librin e tij “Spiranca e shpirtit” (An anchor for the soul), Rej Priçërd (Ray Pritchard) tregon një histori komike që përshkruan situatën tonë para Perëndisë.

 

Përfytyroni një njeri të pasur e të veshur mirë që del para Shën Pjetrit në portat e parajsës. Njeriu i bie ziles dhe Shën Pjetri i thotë, “Urdhëro. Si mund t’ju ndihmoj?”

 

Njeriu thotë, “Dëshiroj të hyj në parajsë.”

 

Pjetri thotë, “Shumë mirë. Ne duam të kemi sa më shumë njerëz në parajsë. Gjithçka që nevojitet për të hyrë është të fitosh 1,000 pikë.”

 

Njeriu thotë, “Nuk besoj ta kem problem. Kam qenë njeri i mirë gjithë jetën. Jam përfshirë në gjëra të mirëqenies civile; gjithmonë kam dhënë para për çështje bamirësie dhe, për 25 vjet, kam qenë kryetar i organizatave për rininë e krishterë.”

 

Pjetri i mban shënim të gjitha këto dhe thotë, “Të dhëna fantastike. Pa të shohim. Me këto e fitove një pikë.”

 

Me një pamje të frikësuar në fytyrë, njeriu thotë, “Prit një minutë! Kam prapë. Kam qenë i martuar me gruan time për 45 vjet dhe i kam qenë gjithmonë besnik. Ne kemi pesë fëmijë, tre djem e dy vajza, që gjithmonë i kam dashur shumë dhe jam siguruar që të merrnin arsim të mirë. Jam kujdesur për ta dhe ata u rritën si njerëz të mirë. Kam qenë familjar shumë i mirë.”

 

Shën Pjetri thotë, “Më la mbresa shumë të mira jeta jote. Nuk na vijnë shumë njerëz si ti këtu lart. Me këtë ke edhe një pikë tjetër.”

 

Tani njeriut do i dalin shumë djersë, dhe ai fillon të shkundet nga frika. Ai thotë, “Pjetër, ti nuk po më kupton. Unë kam qenë anëtar i kishës sime. Shkoja çdo të diel. Për më tepër, jepja para sa hera që vinte koha e ofertës. Kam qenë plak i kishës, kam kënduar në kor, e madje kam dhënë mësim në shkollën e së dielës.”

 

Shën Pjetri thotë, “Të dhënat e tua janë të admirueshme, pa dyshim. Po të jap edhe një pikë tjetër. Më lejo të bëj mbledhjen tani: pra, kemi një, dy tri pikë. Besoj se vetëm 997 na duhen ende.”

 

I shtangur e duke u shkundur nga frika, njeriu bie në gjunjë dhe, me dëshpërim, thotë, “Oh, për hir të Zotit! Kush nuk mund të hyjë këtu pa të?”

 

Pjetri e sheh, buzëqesh dhe i thotë, “Urime! Hiri i Perëndisë vlen 1000 pikë.”

 

Shumë njerëz mendojnë se mënyra si do t’u falen mëkatet e si do të shkojnë në parajsë është të besojnë te Jezusi e të bëjnë diçka! Ata mendojnë se besimi në Jezusin dhe të qenët i pagëzuar, ose anëtarësimi në një kishë, ose bërja e veprave të mira, ose marrja e sakramenteve, si shtesë ndaj besimit në Jezusin dhe veprave të mira, do t’i çojë në parajsë. Bibla e dënon plotësisht këtë mënyrë të menduari:

 

“Ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së Tij.” (Titit 3:5)

 

“Sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para Tij për veprat e ligjit.” (Romakëve 3:20)

 

 

  1. Nëse nuk kemi bërë një jetë të përkryer, nëse kemi thyer shumë prej dhjetë urdhërimeve, si do të bëhemi të pranueshëm nga Perëndia? Në çfarë bazash do të na lejojë në parajsë Ai?

 

 

Po sikur të mund të qëndronim para Perëndisë e të përdornim të dhënat e jetës së Jezusit sikur të ishin të dhënat e jetës që kemi bërë ne? Jezusi bëri një jetë të përkryer. Ai nuk mëkatoi as edhe një herë. Ai tha se gjithmonë i bindej vullnetit të Atit të Tij. Sigurisht, nëse do të qëndronim para Perëndisë e të përdornim të dhënat e jetës së Jezusit, Perëndia do të na pranonte. Sado e pabesueshme që duket, Perëndia e ka dhënë jetën e përkryer të Jezusit si dhuratë që na kreditohet ne me ligj, si dhe ka paguar ndëshkimin total të mëkateve tona. Apostulli Pal thotë:

 

“Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë [drejtësi që na duhet, por që nuk e kemi],… drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezus Krishtin për … ata që besojnë.” (Romakëve 3:21, 22)

 

E kuptove? Si mund të bëhemi ne të përkryer si Perëndia e të hyjmë në parajsë? Lajmi i mirë është se Vetë Perëndia ka përgatitur udhën për këtë.

 

Ai e ka bërë këtë me anë të dy gjërave. Ai siguroi një Zëvendësues që të paguante për të gjitha mëkatet tona dhe, më tej, ka siguruar si dhuratë drejtësinë që na duhet, kjo në çastin që besojmë në Krishtin.

 

Perëndia Zëvendësues që siguroi pagesën për mëkatet tona ishte Jezusi.

 

“Sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia…” (1 Pjetrit 3:18)

 

Jezusi ishte “i drejti” që përmendet në këtë varg. Në vdekjen e Tij, Ai pagoi për mëkatet e të padrejtëve, d.m.th. për mua e për ty, që të na afronte te Perëndia. Çdo mendim epshor, çdo fjalë e vrazhdë, çdo vepër lakmitare, të gjitha mëkatet tuaja e të miat u morën e u hodhën ligjërisht mbi llogari të Krishtit. Pastaj, Ai mori dënimin e plotë për gjërat që kishim bërë ne.

 

“Sepse Ai bëri të jetë mëkat për ne Ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të.” (2 Korintasve 5:21)

 

Vër re se kemi të bëjmë me një transfertë, me kreditimin e mëkateve tona ligjërisht në llogari të Krishtit. Jezusi nuk njihte mëkat, d.m.th. Ai Vetë nuk kreu asnjë mëkat. Gjithashtu, Ai vdiq që ne të mund të na kreditohej drejtësia e Perëndisë “në Të”. Këtu Pali thotë se Perëndia e bëri të mundur që të dhënat e jetës së përkryer të Jezusit të na kreditoheshin ne, edhe pse jemi mëkatarë.

 

“Por Ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi Të, dhe për shkak të vurratave të Tij ne jemi shëruar. Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi Të paudhësia e ne të gjithëve.” (Isaia 53:5, 6)

 

 

  1. Pyetje: Në çfarë bazash do t’ia kreditojë Perëndia drejtësinë e Krishtit mëkatarëve?

 

 

Përgjigja: Drejtësia e përkryer e siguruar nga Perëndia Vetë do të të jepet në çastin që e vendos besimin në Krishtin.

 

“Ndërsa atij që nuk vepron, por beson në Atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet[kreditohet, llogaritet] për drejtësi.” (Romakëve 4:5)

 

Vër re se Perëndia i shfajëson njerëzit e paperëndishëm ose të ligj që e vendosin besimin në Krishtin.

 

“Madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezus Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim.” (Romakëve 3:22)

 

 

  1. Pyetje: Kjo duket tepër e mirë për të qenë e vërtetë. Mos do të thuash se nuk duhet të bëj asgjë? Se duhet vetëm të vë besimin në Krishtin e të besoj se Ai do të më shpëtojë, të më falë e më japë jetën e përjetshme?

 

 

Përgjigja: Po. Sipas Efesianëve 2:8, 9:

 

“Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush.”

 

Hiri është favori i pamerituar i Perëndisë dhënë mëkatarëve që nuk e meritojnë.

 

 

  1. Pyetje: Pse do të më jepte Perëndia një dhuratë të tillë mua?

 

 

Përgjigja: Bibla thotë se, që para se të lindje, Perëndia të donte ty dhe dëshironte të kishte një marrëdhënie personale me ty. Prandaj, Ai nuk ndali por e bëri të mundur që ti ta njohësh Atë.

 

“Por Perëndia e tregon dashurinë e Tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.” (Romakëve 5:8)

 

“Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezus Krishtin, Zotin tonë.” (Romakëve 6:23)

 

“[Perëndia] na zgjodhi në Të përpara se të themelohej bota…” (Efesianëve 1:4)

 

Perëndia dëshiron të të japë dhuratën e Tij të shpëtimit. Ti nuk mund ta fitosh këtë dhuratë, por vetëm ta pranosh ose ta refuzosh.

 

Për shembull, nëse një vajzë ka një të dashur dhe ai i troket në derë me një kuti me karamele dhe i thotë, “Dua të të dhuroj këtë kutinë me karamele, nëse del e më lan makinën.” Të gjithë e dimë se nëse vajza del dhe e lan makinën, karamelet nuk do të quheshin më dhuratë. Ajo do t’i kishte fituar vetë ato. Dhuratë quhet diçka që jepet pa qenë nevoja të bësh diçka. Perëndia thotë se ua jep dhuratën e jetës së përjetshme atyre që e pranojnë dhuratën e Tij: veprën që Krishti ka bërë tashmë për ty.

 

 

  1. Perëndia ka siguruar vetëm një mënyrë shpëtimi, jo disa.

 

 

Ka vetëm një mënyrë si mund të fitojmë faljen e mëkateve tona dhe dhuratën e jetës së përjetshme.

 

Jezusi tha:

 

“Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet Meje.” (Gjoni 14:6)

 

“Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi.” (Veprat 4:12)

 

“Sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia.” (1 Pjetrit 3:18).

 

“Tani, o vëllezër, po ju deklaroj ungjillin që ju kam shpallur dhe që ju e keni marrë dhe mbi të cilin ju qëndroni, dhe me anë të të cilit ju jeni shpëtuar, nëse do ta mbani fjalën që ju kanë predikuar, veç nëse besuat kot. Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve, edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve… Pra, si unë, ashtu edhe ata kështu predikojmë dhe ju kështu besuat.” (1 Korintasve 15:1-5, 11).

 

“Ashtu si e thamë më përpara, po e them përsëri: Në qoftë se dikush ju predikon një ungjill tjetër nga ai që keni marrë, qoftë i mallkuar.” (Galatasve 1:9)

 

 

  1. Pyetje: Si mund ta pranoj Krishtin në jetën time?

 

 

Përgjigja: Ne e pranojmë Krishtin në jetën tonë me anë të një ftese personale.

 

[Fjalët e Jezusit]: “Ja, Unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin Tim dhe të hapë derën, Unë do të hyj tek ai…” (Zbulesa 3:20)

 

“… Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet.” (Romakëve 10:13)

 

Vër re se Bibla thotë se Jezusi po troket në derën e zemrës tënde. Ai është aq i fuqishëm sa ta shkallmojë atë, por nuk e bën. Ai nuk të detyron ta pranosh në jetën tënde. Nëse e do, ti duhet t’i hapësh Atij jetën tënde. Ti mund ta hapësh jetën tënde duke iu lutur Atij [duke e thirrur] e duke i thënë se po e pranon me besim Atë dhe veprën e Tij për ty.

 

  1. Ne duhet të besojmë në Krishtin.

 

 

“Beso në Zotin Jezus Krisht dhe do të shpëtohesh.” (Veprat 16:31).

 

“Ky, pra, është vullneti i Atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në Të, të ketë jetë të përjetshme, dhe Unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.” (Gjoni 6:40).

 

“Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në Atë që Ai ka dërguar.” (Gjoni 6:29).

 

“Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezus Krishtit, Zotit tonë.” (Romakëve 5:1).

 

 

  1. Pyetje: A më duhet shumë besim për të pranuar Krishtin? Po sikur të ndihem sikur nuk kam besim mjaftueshëm?

 

 

Përgjigja: Duhet të kuptosh se, nga njëra anë, nuk është sasia e besimit që të shpëton, por Ai tek i Cili e vendos besimin tënd. Pyetja që duhet të bësh është: “A është Shpëtimtari mjaftueshëm i fortë e i besueshëm për të më shpëtuar kur t’i kërkoj?”

 

Përfytyroni një ndërtesë dykatëshe që e ka përpirë zjarri. Ju qëlloni të gjendeni në katin e dytë. Zjarri po ngjitet lart që nga kati i poshtëm dhe dalje nuk ka. Ti vrapon drejt çatisë dhe sheh një kamion zjarrfikësish që po ndalon përpara ndërtesës. Pesë zjarrfikës trupmëdhenj dalin dhe shpalosin një rrjetë shumë të madhe. Ata ngrenë shikimin drejt teje e të thonë, “Hidhu!”.

 

Gjëja e parë që të shkon në mendje është, “Po tallesh gjë? Unë jam në katin e dytë. Nuk mund të hidhem.”

 

Por zjarrfikësit thonë, “A nuk ke besim? Ne do të të presim.”

 

Në fakt, ti nuk ke shumë besim, por me frikë e dridhje, ti hidhesh nga çatia. Si rezultat, zjarrfikësit të presin. Nuk të shpëtoi besimi yt, por zjarrfikësit. Megjithatë, ata nuk do të mund të të kishin shpëtuar po të mos ishe hedhur.

 

Le ta ndryshojmë pak historinë tani. Përfytyro një person tjetër në çati, me zjarrin që po i afrohet. Ky njeri i sheh zjarrfikësit por, ndryshe nga ti, ka shumë besim. Ai hidhet me vendosmëri nga çatia por, në gjysmë të rrugës, zbulon se zjarrfikësit nuk kanë rrjetë. Ata thjesht po rrinë aty me duart të bashkuara. Sa do ta shpëtojë besimi i tij këtë njeri? Nëse nuk ke zjarrfikës të vërtetë me rrjetë të vërtetë, besimi nuk do të të shpëtojë.

 

Në shpëtim nuk bëhet fjalë për sa besim ke apo sa i sinqertë je. Më tepër, gjithçka varet nga objekti i besimit tënd. A e ke vendosur besimin në një Shpëtimtar të vërtetë? Nuk të shpëton besimi yt, por Jezusi. Ti thjesht duhet të hedhësh hapin e ta vendosësh veten në duart e Tij.

 

Sa më thellë të besojmë se Krishti bëri gjithçka që duhej për të na siguruar shpëtimin, aq më e madhe do të jetë siguria jonë kur ta vendosim besimin tonë në Të. Ne mund të nisim me besim të vogël (Krishti tha se gjithçka duhej ishte besim sa një kokërr sinapi), por ta dimë se, me kalimin e kohës, besimi ynë do të rritet. Por, i madh apo i vogël qoftë, besimi ynë duhet drejtuar vetëm nga Krishti, sepse Perëndia pranon vetëm ata që pranojnë Birin e Tij.

 

 

  1. Çfarë është besimi shpëtues?

 

 

Jezusi tha:

 

“Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën Time dhe beson në Atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.” (Gjoni 5:24)

 

“Ky, pra, është vullneti i Atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në Të, të ketë jetë të përjetshme, dhe Unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.” (Gjoni 6:40).

 

  1. T. Kendall e përshkruan kështu besimin shpëtues:

 

“Ne shpëtohemi, sepse bindemi se Jezus Krishti është Biri i Perëndisë, Perëndia-Njeri, dhe se Ai ka paguar borxhin tonë me gjakun që derdhi në kryq… Nëse nuk bindemi se Krishti ka paguar borxhin tonë, nuk mund të ketë siguri të besimit shpëtues e, për pasojë, as siguri të shpëtimit.”

 

 

  1. Çfarë nuk është besim shpëtues?

 

 

Të besuarit në Jezusin nuk ka të bëjë thjesht me pranimin e fakteve për Të: se Ai është Perëndi, se të do, se vdiq në kryq dhe pagoi për mëkatet e tua, dhe se është i gatshëm të të falë. Të besuarit e vërtetë ndodh kur e transferon të gjithë besimin tënd te Jezusi për shpëtimin tënd personal. Njohuria për faktet mbi jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit për ne nuk mjaftojnë.  Unë mund të besoj se dy plus dy bëjnë katër, pa bërë asnjë përkushtim personal apo varësi ndaj dikujt teksa besoj në këto fakte.

 

Nikodemi, një drejtues i hebrenjve, erdhi te Jezusi natën (siç përshkruhet te Gjoni kapitulli 3). Ai besonte se Jezusi ishte mësues i ardhur nga Perëndia, por kjo nuk mjaftonte që të kishte besim shpëtues. Ai duhej ende të vinte besimin e tij te Krishti për shpëtim. Ai duhej të besonte në Të.

 

Te Veprat 26, apostulli Pal është në gjyq para mbretit Agripa. Edhe mbreti Agripa dukej se besonte shumë prej fakteve nga jeta e Jezusit, por prapë nuk ishte i shpëtuar. Pali i tha, “O mbret Agripa, a u beson profetëve? Unë e di se ti beson.” (Veprat 26:27) Megjithatë, Agripa nuk kishte besim shpëtues, siç shohim nga fjalët që i tha Palit më pas, “Për pak dhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë.” (Veprat 26:28).

 

Të besuarit në kuptimin biblik përfshin besimin. Besimi në Krishtin nuk është thjesht të besosh në faktet për Të, por t’ia besosh veten Krishtit në mënyrë personale.

 

Për shembull, unë kam folur shumë herë në konferenca të mbajtura në zonën e Ujëvarës së Niagarës. Kam mësuar se, në të shkuarën, një artist i famshëm i ecjes në litar të tendosur lidhi një tel nga dy anët e Ujëvarës së Niagarës, nga ana kanadeze dhe ajo amerikane. Para syve të një publiku të mahnitur, ai u ngjit në tel dhe eci përmes ujëvarës. Më pas, ai vendosi mbi tel një karrocë, e mbushi me thasë që peshonin rreth 110 kg dhe e kaloi përmes ujëvarës. Kur u kthye, i tha shikuesve të shumtë, “Sa prej jush mendojnë se unë mund ta marr një njeri, ta vë në karrocë dhe ta kaloj të sigurt përmes ujëvarës?”

 

E gjithë turma tha, “Po! Ne besojmë se mund ta bësh.”

 

Por pastaj ai tha, “Në rregull. Kush do të jetë i pari që të hipë në karrocë?”

 

Siç e shihni, është një gjë të thuash se beson, dhe një gjë krejt tjetër t’ia besosh veten Krishtit në mënyrë personale. Besimi shpëtues ndodh kur je i gatshëm ta vësh veten në duart e Krishtit dhe t’i besosh Atij plotësisht për sa i përket mëkateve të tua dhe fatit tënd të përjetshëm.

 

 

  1. Ti mund ta pranosh Krishtin me besim përmes lutjes (lutja është bisedë me Perëndinë).

 

 

Perëndia e njeh zemrën tonë dhe nuk i interesojnë fjalët tona sa i intereson qëndrimi i zemrës sonë.  Më poshtë jepet një sugjerim për një lutje. Ti mund të lutesh e fjalët e tua. Nuk është lutja, ngritja e duarve, apo dalja para kishës që të shpëton. Qëndrimi i zemrës dhe besimi në Krishtin të shpëton.

 

“I dashur Zoti Jezus. Unë e pranoj se kam mëkatuar. E di se nuk mund të shpëtoj vetë. Të falënderoj që vdiqe në kryq dhe që barte mëkatin në vendin tim. Unë besoj se vdekja Jote ishte për mua dhe e pranoj sakrificën Tënde në vendin tim. Aq sa mundem, unë tani e kaloj gjithë besimin nga vetja ime dhe gjërat që mund të bëj e tek Ti. Po të hap derën e jetës sime dhe, më besim, të pranoj si Shpëtimtarin dhe Zotin tim. Të falënderoj që m’i ke falur mëkatet dhe që po me jep jetën e përjetshme. Amen.”

 

 

  1. Nga ta di që Krishti është në jetën time?

 

 

“Ja, Unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin Tim dhe të hapë derën, Unë do të hyj tek ai…” (Zbulesa 3:20).

 

Sipas këtij vargu, Krishti tha se do të vinte në jetën e kujtdo që e ftonte. Apostulli Gjon shkroi:

 

“Jua shkrova këto gjëra juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që të dini se keni jetën e përjetshme.” (1 Gjonit 5:13).

 

Nëse ia ke besuar veten Krishtit dhe ke besuar në Të, Shkrimi thotë se Perëndia dëshiron që të dish, jo të hamendësosh, se ke jetën e përjetshme.

 

“… Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet.” (Romakëve 10:13).

 

Ai premton të të shpëtojë kur t’i thërrasësh e të besosh në Krishtin.

 

“Por të gjithë atyre që e pranuan, Ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e Tij.” (Gjoni 1:12).

 

Nëse Krishti është në jetën tënde, dije se Ai nuk do të të lërë kurrë. Te Hebrenjve 13:5, lexojmë:

 

“… Perëndia ka thënë: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.”

 

Teksa lexon këto fjalë, ndoshta Perëndia të ka folur e të ka nxitur ta vësh besimin tënd në Krishtin. Nëse është kështu, fol me Perëndinë tani. Pranoje Krishtin si të Vetmin që vdiq për ty e që do të të shpëtojë. Thirre Zotin dhe prano prej Tij atë që nuk mund ta sigurosh vetë. Perëndia e dërgoi Birin e Tij të vdiste për ty, që ti të marrësh faljen e ta njohësh Atë personalisht. Pranoje se je mëkatar, thuaji Perëndisë se beson se Krishti vdiq për ty dhe se është i gatshëm të shpëtojë tani. Thuaji se, tani e tutje, ti do të besosh në Të.

BesoZotin Jezus Krisht dhe do të shpëtohesh.” (Veprat 16:31).

Nëse e ke vënë besimin në Krishtin, lexo materialin “Si të nisësh jetën e krishterë”.

Filmi i Jezusit

Si të bëhesh i krishterë

Si të bëhesh i krishterë? I krishterë është një person që ndjek Jezusin dhe që ka besuar te Ai. Bibla ofron një përgjigje të qartë se si mund ta dish që je i krishterë.Kliko këtu.

Bibla audio