A nuk janë të gjitha fetë njësoj? A nuk është Jezusi një profet mes shumë të tjerëve?

Xhon Ankerberg (John Ankerberg) dhe Ravi Zakarajas (Ravi Zacharias)

Përgjigje për skeptikët

Një student nga Lindja e largët pyet: “Ju lutem, a mund të shpjegoni se si mund t’i përgjigjej Jezusi besimit Baha’i, sipas të cilit të gjitha fetë janë një dhe se Jezusi është një profet mes shumë të tjerëve?”

Ravi Zacharias, autor, folës, apologjet i krishterë: “Xhon, duke qenë se edhe vetë vij nga Lindja, e di se na pëlqen shumë ta mundojmë njëri-tjetrin me pyetje të shumta. Për shembull, nëse organizon një forum të hapur në Delhi, Mumbai apo qytete të tjera indiane, do të shohësh se nuk do të mund të dalësh dot kurrë që aty. Njerëzit atje kanë shumë pyetje. Bëhet fjalë për një kulturë pyetëse. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për Lindjen e Mesme, dhe mendoj se kjo është arsyeja pse idetë fetare zënë vend qendror në etosin dhe patosin e tyre, pse i ndjejnë me aq pasion. Gjëja e parë që dua t’i them dëgjuesit është: E kuptoj si të bëjnë të ndihesh këto çështje, dhe kjo për dy arsye: e para sepse bëhet fjalë për një pyetje të sinqertë, dhe e dyta sepse lidhet me familjen dhe me besimet e paraardhësve. Kështu, kur ngremë pyetje për çështjen e ekskluzivitetit, ose për besimin Baha’i, që është një besim sinkretist, e di pse shtrohet kjo pyetje. Por besimi Baha’i lindi diku rreth mesit të viteve 1800, pak pas vitit 1850, dhe, si besim më vete, trajtohet si heretik nga besimi islam. Njerëzit e këtij besimi përndiqen, fatkeqësisht. Qëllimi i tyre ishte fisnik: të përpiqeshin të bashkonin të gjithë njerëzit. Kështu, nëse shkojmë për shembull në tempullin Baha’i në Delhi, për të cilin jam i sigurt se e keni vizituar, do të shihnim një strukturë masive. Por kjo paraqet një problem themelor. Nuk mund të ndodhë që të gjitha fetë të jenë të vërteta. I kam dëgjuar njerëzit të thonë se, në themel, fetë janë të gjitha njësoj, me ndryshime vetëm sipërfaqësore. Këtë e thonë zakonisht skeptikët, por e vërteta është e kundërta e kësaj. Fetë ndryshojnë në themel dhe, në rastin më të mirë, ngjajnë vetëm në sipërfaqe. Islami nuk është njësoj si hinduizmi. Krishterimi nuk është njësoj si islami. Ne duhet të jemi në gjendje që të ndërveprojmë përzemërsisht në lidhje me këto çështje, pa krijuar anatema ndaj njëri-tjetrit, por duke i qëndruar fort të vërtetës. E vërteta është përfundimisht e patjetërsueshme.   

Pse nuk mund të jenë të gjitha fetë të vërteta? Sepse ligji i moskundërshtimit zbatohet në realitet. Dy pohime kundërshtuese, me domethënie të kundërta, nuk mund të jenë të dyja të sakta në të njëjtën kohë. Ekskluziviteti është realitet për të vërtetën, sepse e vërteta është pikë së pari pronë e pohimeve. Këtë e shohim edhe në sallat e gjyqit, kur bëhen pyetje si: “A ishe i pranishëm në vendngjarje kur ndodhi kjo?” Përgjigja është ose po, ose jo. Sigurisht, mund të thotë se ishte me një këmbë brenda, një këmbë jashtë. Mund të luhen lojëra fjalësh, por pyetja që bëhet kërkon të vërtetën. Nga vetë përkufizimi i saj, e vërteta është ekskluzive. Kështu, kur thotë “ Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet Meje.” (Gjoni 14:6), Jezusi po bën një deklaratë të guximshme, dramatike e absolute. Pyetja këtu është: A mbështetet kjo deklaratë nga jeta dhe mësimet e Tij? Kjo është pyetja të cilës duhet t’i përgjigjemi. Fetë nuk mund të jenë të gjitha njësoj. Gautama Buda lindi hinduist, por më pas hoqi dorë nga dy prej doktrinave themelore të kësaj feje. Ai nuk e pranonte autoritetin e vedave (shkrime të shenjta hinduiste), as sistemin e kastave. Prandaj edhe kohët e fundit ka njerëz që thonë se kemi lëvizur nga pika A në pikën B dhe nuk kemi më sistem kastash. Por Buda hoqi dorë pikërisht nga këto dy besime, dhe që aty lindën katër të vërtetat e tij fisnike dhe udha e tetëfishtë. Islami nuk është njësoj si sikizmi, dhe sikizmi nuk është njësoj si hinduizmi. Çdo besim, pa përjashtim, ka doktrina e deklarata ekskluzive për veten e tij. Çdo besim ka ekskluzivitetin e vet. Edhe besimi Baha’i, që pretendon të jetë sinkretist, në fakt përjashton ekskluzivistët. Kështu pra, nuk mund të jesh ekskluzivist dhe ndjekës i besimit Baha’i njëkohësisht. Kjo është natyra e të vërtetës. Prandaj, në vend që të zemërohem me deklaratat ekskluziviste, arsyeja më thotë t’i ekzaminoj këto deklarata e të shoh a i qëndrojnë provës së të vërtetës. Këtë duhet të bëjmë.

Xhon: Miq, dua edhe që të dini se Ravi është shprehur shumë më gjatë për këtë pyetje dhe të tjerat që kemi paraqitur gjatë këtij programi. Kërkojeni Ravin në Google, vizitoni faqen e tij, ndiqeni në Youtube ku mund të shihni ligjëratat e tij dhe përgjigjet që ka dhënë për këto pyetje në vende të ndryshme të botës. Mund të dëgjoni mijëra studentë të mbledhur për t’i bërë pyetje Ravit, dhe përgjigjet që ai u ka dhënë me durim. Ndaj, më besoni, mund të gjeni shumë informacion atje.

 

@2015

The John Ankerberg Show

P.O. Box 8977

Chattanooga, TN 37414  USA

Filmi i Jezusit

Si të bëhesh i krishterë

Si të bëhesh i krishterë? I krishterë është një person që ndjek Jezusin dhe që ka besuar te Ai. Bibla ofron një përgjigje të qartë se si mund ta dish që je i krishterë.Kliko këtu.

Bibla audio